Mbështetja studentëve, investim në të ardhmen

Fondacioni për zhvillimin e arsimit dhe kulturës ALBIZ më 25 shkurt 2018, në godinën e Filarmonisë të Maqedonisë, e organizoi manifestimin qendror, ku u prezantuan rezultatet nga aktivitetet e realizuara në vitin 2018 dhe u bë promovimi i gjeneratës së tetë të bursistëve për vitin akademik 2018/2019.

Fondacioni ALBIZ gjatët vitit 2018 ka realizuar 18 projekte në kuadër të platformës edukativo-arsimore, kulturore-sportive, socio-humanitare, zhvillimore dhe infrastrukturë me vlerë të përgjithshme prej 33.000.000 denarë.

Në kuadër të manifestimit Fondacioni i ndau bursat 175 studentëve të dalluar për vitin akademik 2018/2019.

Ibrahim Seferi, kryetar i Këshillit të donatorëve, mes tjerash tha se “nga zemrat e këtyre bursistëve, të familjeve që i kemi ndihmuar, por edhe nga zemrat tona, del një urim i thellë mirënjohjeje për ata afaristë-donatorë, të  cilët ndanë mjete nga buxhetet e kompanive të tyre për bamirësi. E bamirësi më të madhe se investimi në arsimimin dhe edukimin e brezit të ri nuk ka”.

“Realizimi i misionit të Fondacionit Albiz sigurisht që nuk do të ishte i përmbush pa vlerat të cilat Fondacioni Albiz do t’i paraqes si detyrim para vetes si korrektësia ndaj të gjitha palëve në bashkëveprim, profesionalizmi në të gjitha nivelet e organizimit, përgjegjësia ndaj organeve në hierarki si dhe transparenca e punës ndaj gjithë shoqërisë. Falë këtyre vlerave nuk mungon as përkrahja e pa rezervë nga ana e donatorëve , përkrahje kjo që sa vjen  e shtohet duke na dhënë një garanci dhe frymëzim se jemi në rrugën e duhur”, u shpreh drejtori ekzekutiv Besir Dernjani.

Në emër të Odës Ekonomike të Maqedonisë Veri-Perëndimore u drejtua Nazmi Ejupi, i cili tha se është kënaqësi kur fiton, por kënaqësi edhe më e madhe është kur jep.

Bashkëpunim të mirëfilltë Fondacioni Albiz ka edhe me Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës. Ministri Arbër Ademi tha se nuk ka investim më të madh në gjeneratat e reja.

Kryetar i Komunës së Sarajit, Blerim Bexheti, iu drejtua të pranishme duke thënë se është krenar që një numër i madh i këtyre kompanive veprojnë në Saraj, ashtu si edhe Fondacioni Albiz, dhe se në këtë komunë janë realizuar projekte mjaft madhore. z. Bexheti, në emër të Fondacionit Albiz, u ndau mirënjohje kompanive, të cilat kanë dhënë donacion gjatë vitit të kaluar.

Në emër të kompanive donatore të pranishmëve u drejtua Muharem Murtezani, pronar i kompanisë Alma M.